Në përputhje me Ligjin e Energjetikës, veprimtaritë nga fusha e gazit natyror janë:
- Tregtia me gaz natyror;
- Transmetimi i gazit natyror;
- Menaxhimi me sistemin e transmetimit të gazit natyror;
- Shpërndarja e gazit natyror;
- Furnizimi me gaz natyror dhe
- Furnizimi në rastin e fundëm me gaz natyror.
Veprimtaritë e cekura mund të ushtrohen nga palë të huaja në bazë të licencave të dhëna nga Komisioni Rregullator i Energjetikës. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga licencat për kryerjen e veprimtarive energjetike, subjektet e licencuara kanë për detyrim të dërgojnë deri te Komisioni Rregullator i Energjetikës raporte mujore dhe vjetore për punën e tyre.
GA-MA SHA Shkup, ushtron veprimtarinë energjetike të transmetimit dhe të menaxhimit me sistemin e transmetimit të gazit natyror dhe është e detyruar të mundësojë punën e sigurtë të sistemit të transmetimit të gazit natyror, i cili mundësohet me planifikim, ndërtim dhe mirëmbajtje të gazpërçuesit, të stacioneve matëse - rregullatore dhe të pajisjes tjetër, si dhe me menaxhimin e kujdesshëm dhe monitorimin e rrjetit të transmetimit dhe kontrollin e të gjitha punimeve në rripin mbrojtës të gazpërçuesit.
Momentalisht, në Republikën e Maqedonisë së Veriut funksionojnë tre sisteme më të vogla të shpërndarjes së gazit natyror edhe atë Drejtoria e ZTIZH, NP Kumanovo Gas dhe NP Strumica Gas. Këto ndërmarrje janë bartëse të licencave për kryerjen e veprimtarive energjetike të shpërndarjes së gazit natyror dhe të furnizimit me gaz natyror të konsumatorëve të lidhur në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror dhe janë të detyruara të mundësojnë zhvillimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror për dërgesë të sigurtë dhe cilësore të gazit natyror deri te konsumatorët.
Duke filluar nga data 1 janar 2015, tregu i gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut është totalisht i liberalizuar dhe të gjithë konsumatorët mund të zgjedhin tregtarin apo furnizuesin me gaz natyror. Komisioni Rregullator i Energjetikës ka dhënë 15 licenca për tregti me gaz natyror, 2 licenca për furnizim me gaz natyror dhe 1 licencë për furnizim me gaz natyror në rastin e fundëm.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar sistemet në vijim për shpërndarjen e gazit natyror:
- Zona Teknologjike Industriale Zhvillimore ZTIZH Shkupi 1 dhe Shkupi 2 në f. Bunarxhik me gjatësi të rrjetit të shpërndarjes prej 5,6 km,
- komuna e Kumanovës me gjatësi të rrjetit të shpërndarjes prej 16 km dhe
- komuna e Strumicës me gjatësi të rrjetit të ndërtuar të shpërndarjes prej 34 km.
Përmes sistemeve të lartpërmendura të shpërndarjes së gazit natyror kryhet dërgesa e gazit natyror për nevojat e konsumatorëve industrialë dhe komercialë, të institucioneve publike dhe të amvisërive.
Infrastruktura energjetike në sektorin e gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e shfaqur më poshtë, mundëson:
− importin e gazit natyror;
− transmetimin e gazit natyror;
− shpërndarjen e gazit natyror dhe
− furnizimin me gaz natyror.
Grafikoni: Infrastruktura energjetike në sektorin e gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka vend-burime të veta dhe e tërë sasia e gazit natyror importohet nga Rusia përmes sistemit të gazpërçuesit të Republikës së Bullgarisë.